Telegrafi

Nuhiu: E dimë rëndësinë e ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut dhe do ta japim maksimumin për të fituar

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu (Foto: Screenshot/YouTube/FFK)

Kosova përballet me Maqedoninë e Veriut në kuadër të gjysmëfinales së ‘play-offit’ në Ligën e Kombeve, në kërkim të një vendi për Kampionatin e ardhshëm Evropian.

Më 8 tetor (e enjte) me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, Kosova dhe Maqedonia e Veriut zhvillojnë përballjen gjysmëfinale të ‘play-offit’ në kuadër të Ligës së Kombeve, në kërkim të një shansi për të luajtur në Kampionatin Evropian.

Skuadra fituese do të zhvillojë edhe një finale të ‘play-offi’ kundër fituesit të përballjes tjetër që zhvillohet ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka folura pas seancës stërvitore në “Fadil Vokrri”, duke theksuar shpresën për të triumfuar në Shkup.

(Foto: Screenshot/YouTube/FFK)

“Normalisht se me shumë dëshirë e kemi pritur këtë ndeshje dhe mezi presim të luajmë të enjten. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për neve dhe kombëtaren, por për gjithë Kosovën. Ne e dimë se çfarë do me thënë, çfarë ndeshje historike dhe si ndihen njerëzit për këtë ndeshje. Dhe besoj se do të japim maksimumin e mundur në fushë dhe shpresojmë ta fitojmë lojën”.

Lexo po ashtu Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut

“Mungesat janë të mëdha. Për secilin ekip, kur lojtarët kyçë mungojnë është sado kudo pak e vështirë për ekipin. Por, ne nuk duhet ta shikojmë në atë mënyrë, por me këta lojtarë që janë këtu. Trajneri ka besim në lojtarët që i ka ftuar dhe që janë këtu, lojtarët që mund të luajnë dhe janë në dispozicion dhe me këta lojtarë së bashku shpresojmë ta mundim Maqedoninë”, ka deklaruar 31-vjeçari në një prononcim të transmetuar nga faqja e FFK-së.

Mesazhi i Nuhiut ishte se futbollistët do të mundohen të japin gjithçka në fushë, në mënyrë që t’ua zbardhin fytyrën mbështetësve të tyre, të cilët edhe pse nuk janë në stadium, i qëndrojnë gjithmonë prapa ekipit të Kosovës. /Telegrafi/