Pas publikimit të një artikulli nga një e përditshme italiane në lidhje me futjen e pajisjes së përgjimit në Shqipëri, deputeti dhe njëkohësisht nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka u shpreh se media italiane po konfirmon dhe thellon dyshimet në lidhje me pajisjen e përgjimit që ka hyrë në Shqipëri dhe që sipas tyre gjendet në ambasadën italiane.
“Media italiane jo vetëm vë theksin tek futja e pajisjes në mënyrë të paligjshme, pa u regjistruar apo deklaruar, por është ngritur alarmi për përdorimin e saj pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Skandali i përgjimit të paligjshëm ka tronditur tashmë edhe vendin fqinj. Media italiane flet për dyshime, për lidhje në konflikt interesi me kompaninë prodhuese të pajisjes së gjurmimit. Sa më shumë hesht Edi Rama, aq më shumë rriten përmasat e shkeljes së ligjit, të kushtetutës, të sigurisë kombëtare, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Duhet zbardhje e plotë e kësaj afere, e këtij krimi shtetëror. Dhe përgjegjësit me Saimir Tahirin në krye të dalin pa vonesë para ligjit. Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë e të pandikuar dhe për këtë lypset largimi i menjëhershëm i Sajmir Tahirit”, tha Noka.
Pak pas kësaj deklarate ka reaguar Partia Socialiste që kërkoi largimin e deputetit Noka, për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit.
“I kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Adriatik Llalla, nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë rast. Nga ana tjetër, i kërkojmë Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha që të thyejë heshtjen dhe të shprehet publikisht dhe zyrtarisht për rastin e deputetit Flamur Noka”, – tha Alfred Peza.
“Ky është momenti i të vërtetës. Ndaj është koha që Prokuroria të nisë sa më parë hetimet, dhe Lulzim Basha të shprehet se çfarë do të bëjë Partia Demokratike me deputetin e saj në shkelje flagrante të ligjit?”, theksoi Peza. /Lapsi.al/Telegrafi/