Telegrafi

Noizy mysafir special i Raf Camoras, peformoi para 16 mijë adhuruesve në Koln

Pamje nga koncerti ku performoi Noizy

Është një prej arenave më të mëdha në Evropë, por Lanxess Arena nuk arriti që të përmbushë të gjitha kërkesat për koncertin e Raf Camoras dhe Bonez MC, dy superyjeve evropianë të hip hopit dhe dancehallit.

Dhe, mysafir special në koncertin ku u shitën të gjitha biletat ishte reperi shqiptar, Noizy.

Ai dhe Raf Camora dallohen për miqësinë e tyre, pasi dihet se verën e kaluar sollën bashkë hitin e madh, “Toto”.

Pamje nga koncerti, Foto: Instagram.com/Raf_Camora

Prezantimi i Raf Camoras që i bëri Noizyt ishte madhështor, ndërkaq reperi shqiptar performoi ‘live’ projektin “Toto”, pasi që dihet se Raf Camora i ka të gjitha koncertet “live” dhe me orkestër.

Është kjo hera e parë që një reper shqiptar performon para një publiku të tillë në Evropë dhe pritet në këtë formë, duke performuar në gjuhën shqipe.

Raf Camora qëndroi gjatë verës edhe në Kosovë ku performoi në lokacione të njohura si Hangover dhe Zone.

Ai dallohet për hitet tjera të tij si albumet “Palmen Aus Plastik 1” dhe “Palmen Aus Plastik 2” me Bonez MC dhe albumin solo “Anthrazit”, kurse dallohet për historinë e tij interesante, ku nga një punëtor në McDonalds dhe repi underground, është bërë superyll.

Raf Camora ka edhe një projekt me Azetin, “Qa Bone” që po ashtu ishte hit veror, kurse dyshja kanë edhe një projekt tjetër bashkë në albumin e ri të reperit shqiptar.

Për Noizyn ky është sukses i ri në arenën ndërkombëtare dhe një respekt më shumë për të në skenën e hip hopit gjerman, si një artist meritor i hip hop dhe dancehall. /Telegrafi/