Filmi i ri i Noizyt me Blerim Destanin “Troubleshooters” pati premierën mbrëmë (e diel) në kinemanë më të madhe në vend, Cinestar Megaplex, në Prishtina Mall.
Ky projekt filmik nuk është vetëm një shpalosje e talentit artistik, por edhe një reflektim mbi kulturën moderne dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë sot.
Ata u pritën ngrohtë nga publiku në Kosovë, me shumë figura të famshme dhe artistë që mbështetën këtë, duke shfaqur një entuziazëm të madh për historinë që do të shpaloset përpara tyre.
Me një kombinim produksionesh nga Shqipëria e Gjermania dhe skena aksion të realizuara në Tiranë, ky film mori vlerësime të larta.
Pjesë e kastit veç dy yjeve të lartpërmendur është edhe Alketa Vejsiu e në një rol të shkurtër edhe reperja Loredana Zefi.
Të tjerë që luajnë janë: Fatmir Spahiu, Rajmonda Bulku, Gëzim Rudi, Zamira Kita e Margent Caushi.
Noizy dhe Blerimi ndanë emocionet e tyre rreth këtij projekti, ku për reperin nga Durrësi ishte eksperiencë e re, por e paharrueshme.
“Një eksperiencë e re, e paharrueshme ngaqë jam kënaqur shumë gjatë gjithë procedurës së filmit nga fillimi deri tani, mendoj që nuk do të jetë e fundit”, u shpreh ai për Telegrafin.
I pyetur për vlerësimet që mori filmi, artisti thotë se shumica kanë qenë pozitive.
“Me thënë të drejtën, kanë qenë shumica pozitive, mos të them 100 për qind”, theksoi Rigels Rajku.
Megjithëse për të ishte hera e parë në aktrim, Noizy duket se ka qenë befasia e gjithë kësaj.
“Aktrimi më pëlqen por nuk të jap komente mbi veten, James thotë aktori i jonë i madh shqiptar thotë mirë”.
“Gjithë filmi është special që nga stafi profesional që është i gjithë nga jashtë shtetit, deri në detajet më të vogla”, tha ndër të tjerash 38-vjeçari për filmin.
Blerimi nga ana tjetër dha një vlerësim të madh për Noizyn në aktrim, si një talent i zbuluar.
“Meqë Noizy është shtylla e këtij projektit, një talent i zbuluar, jo i pazbuluar dhe kritikat janë marramendëse”, u shpreh Destani.
Veç në Shqipëri e Kosovë, filmi do të zbarkojë edhe në disa qytete të Evropës. /Telegrafi/