Telegrafi

Njohje ndërkombëtare për rakinë e rrushit nga Kosova

Cilësia e rakisë së rrushit nga vendi ynë është vlerësuar ndërkombëtarisht, duke fituar medaljen e bronztë në një garë internacionale që është organizuar në Austri.

Rakia jonë ka marrë pjesë në konkurrencën më të fortë, atë të Rakisë Fisnike – Edelbrand, ku konkurrojnë rakitë me përbërje të pastër kimike – pra të pastra të frutave.

“Destillata Awards“ njihet si një ndër shpërblimet më serioze që organizohen në këtë fushë dhe është një vend ku tash e shumë vjet takohen prodhuesit dhe konsumatorët.

Këtë vit në garë kanë marr pjesë mbi 3000 pjesëmarrës nga Austria dhe Evropa Qendrore.

Rakia e prodhuar në destilerinë e ndërmarrjes private Rugova, në fshatin Cercë të Istogut, i është nënshtruar kritereve profesionale të vlerësimit, si: qartësia, aroma, shija dhe qëndrueshmëria.

Planet e këtij prodhuesi vendor janë që së shpejti kjo raki, së bashku me rakitë tjera si të mollës, dardhës, kumbullës e ftonit, të shiten në Evropë. /Telegrafi/