Site icon Telegrafi

Njohja e pasaportës nga Spanja, Kurti: Asaj po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas njohjes së pasaportës së Kosovës nga Spanja, duke thënë se asaj po i shtohet vlera, kurse  shtetit tonë dinjiteti.

Kurti, përmes një postimi në Instagram, tha se nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës.

“Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, sipas një dokumenti të publikuar më 5 janar në ueb-faqen e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.

Në dokumentin e publikuar thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.

“Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet në dokument.

Që nga 1 janari, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Më herët gjatë 6 janarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Spanja i shtohet listës së shteteve që kosovarët mund të vizitojnë pa pasur nevojë të pajisen me vizë./Telegrafi/

Exit mobile version