Kryeministri Ramush Haradinaj në takim me kancelaren Angela Merkel, pritet që të përfarojnë qëndrimet rreth taksës, dialogut, në prag të samitit të Parisit, që do të mbahet në muajin korrik.
6 qershori do të jetë data kur Kancelarja gjermane Angela Merkel, do ta ketë një takim më Kryeministrin Ramush Haradinaj, në Berlin.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi përmes një përgjigje me shkrim, tregoi për temat që do të diskutohen në vizitën dy ditore të Haradinajt, me ftesë të Bundestagut Gjerman.
“Do të ketë takime me deputete te Bundestagut, si dhe me 6 qershor do te zhvilloj një takim pune me Kancelaren Merkel. Derisa tashmë dihet që kërkesat e Kryeministrit Haradinaj janë mbështetja e Gjermanisë ne procesin e liberalizimit te vizave, dialogut dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në përgjigjen e saj.
Demush Shasha, nga Instituti EPIK thotë se ky takim do të mundësoj diskutim më të thellë të temave, duke përafruar më shumë qëndrimet mes Kosovës dhe Gjermanisë, në dialogun me Serbinë.
“Presim që takimi i gjashtë qershorit të vazhdojë këtë përafrim që kryeministri Haradinaj dhe kancelarja Merkel të kanë një diskutim më të thellë rreth taksës, rreth temës së normalizimit të marrëdhënieve dhe rreth temës së liberalizimit të vizave, gjë që do të shtrojë rrugë për samitin e suksesshëm të Parisit në korrik”, tha për RTV Dukagjinin, Demush Shasha.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, shprehet se ky është një takim parapërgatitor për Samitin e Parisit, por gjithsesi do të diskutohet edhe tarifa doganore për mallrat serbe.
“Besoj se ky takim mes Kancelares dhe Kryeministrit shihet si një takim parapërgatitor për Samitin e Parisit dhe atë që Gjermania të sheh më konkretisht se në cilin pozicion qëndron Kosova për dialogun para Samitit të Parisit”, deklaroi Violeta Haxholli.
Samiti i Berlinit është mbajtur në fund të prillit, në të cilin presidenti Hashim Thaci e Kryeministri Ramush Haradinaj, kanë shkuar me qëndrime të ndryshme rreth tarifës si dhe korrigjimit të kufirit me Serbinë./RTV Dukagjini/Telegrafi/