Njohësi i çështjeve juridike dhe ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhor, Mazllum Baraliu e ka konsideruar si juridikisht diskutabile iniciativën për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Baraliu ka thënë se udhëzimi administrativ mbi bazën e të cilit është nis ky referendum, nuk e mundëson që ky proces të dërgohet në Kushtetuese, andaj një gjë e tillë sipas tij, lënë shumë për të dëshiruar.
“Problemi kryesor i këtij procesi është diskutabiliteti i bazamentit juridik kushtetues, sepse fillimisht kjo Qeveri e jona e ka nisur ashtu siç nuk duhet. Nuk mund të parashohësh në një akt ligjor diçka që nuk udhëzohet në aktin kryesor ligjor, që në këtë rast është ligji për vetëqeverisje lokale e dy ligjet zgjedhore. Në këtë udhëzim administrativ prej 7 nenesh ka shumë gjëra tjera të cilat kur vjen puna për ta përfunduar procesin në mënyrë kushtetuese, që dikujt mos t’i jepet rasti ta kontestoj, ka shumë për të dëshiruar. Juridikisht është diskutabile”, është shprehur Baraliu, në Tëvë1.
Ai ka theksuar se ky udhëzim administrativ, ka dispozita që nuk janë të parapara në ligjet për zgjedhje të Kosovës.
“Neni 72 i ligjit për vetëqeverisje lokale thotë votim dhe zgjedhje, ndërkohë që këto dispozitat 4, 5, 6, dhe 7 i udhëzimit administrativ flasin për diçka që nuk janë të parapara as në ligjin për zgjedhje lokale as të përgjithshme. Është një veprim që s’ka ndodhur deri tash”, ka shtuar ai.
Po ashtu e gjithë kjo situatë, sipas Baraliu vjen, pasi Kosova nuk ka ligj për referendume.
“Kosova nuk ka ligj për referendume. Nuk ka pasur vullnet politik për ta bërë ligjin për referendumin” ka thënë ai.