A dyshoni se partneri juaj po pretendon të jetë i paaftë në disa detyra thjesht për t’i shmangur ato?
Ju ndodh shpesh që të merrni përsipër detyrat sepse ata “nuk dinë si t’i bëjnë”? Apo përpiqeni që ju vetë t’i shmangni detyrat sepse ata zakonisht i kryejnë keq? Kjo mund të jetë pasojë e fenomenit të njohur si “paaftësi e qëllimshme”.
Çfarë është “paaftësia e qëllimshme”?
Paaftësia e qëllimshme ndodh kur një individ shfaq qëllimisht ose në mënyrë të pavetëdijshme dëshirën për të shmangur disa detyra apo përgjegjësi, duke bërë që të tjerët të ndërhyjnë dhe ta kryejnë detyrën për ta. Kjo krijon një pabarazi në marrëdhënie, ku një partner kontribuon më tepër dhe tjetri më pak.
Nga vjen termi “paaftësi e qëllimshme”?
Ky term ka fituar popullaritet në rrjetet sociale si Instagram, TikTok dhe X, ku njerëzit ndajnë histori se si partnerët e tyre e përdorin këtë strategji për të shmangur përgjegjësitë. Variacione të këtij termi janë përdorur prej kohësh në kuptime të tjera për të përshkruar shmangien strategjike të përgjegjësive.
Pse disa njerëz shmangin qëllimisht kryerjen e detyrave?
Disa njerëz e përdorin paaftësinë e qëllimshme për të kërkuar vëmendje nga partneri. Duke u dukur “të pafuqishëm” apo “të paaftë”, ata mund të nxisin vëmendjen, dhembshurinë ose mbështetjen e partnerit. Gjithashtu, kjo i ndihmon njerëzit të shmangin përgjegjësitë e punëve të shtëpisë, kujdesin për fëmijët, përgjegjësitë financiare ose çështjet emocionale.
Po sikur partneri juaj të jetë vërtet “i paaftë”?
Është e mundur që partneri juaj të mos jetë duke e bërë me qëllim dhe të mos dijë vërtet si të bëjë diçka. Në disa raste, një individ mund të ndjejë se nuk është mjaftueshëm i aftë për një detyrë të caktuar. Por nëse kjo vazhdon të ndodhë edhe me kalimin e viteve, pabarazia do të vazhdojë dhe ata kurrë nuk do t’i fitojnë aftësitë e nevojshme.
Me kalimin e kohës, efektet e paaftësisë së qëllimshme mund të dëmtojnë një marrëdhënie. Rastet e përsëritura të manipulimit dhe shmangies mund të dobësojnë lidhjen mes jush dhe partnerit tuaj, duke çuar në zemërim të shtuar, pakënaqësi dhe përfundimisht, prishje të marrëdhënies, citon Anabel.
Si ta përballoni shmangien e përgjegjësive nga partneri?
Për të përballuar këtë fenomen, është e rëndësishme të flisni hapur dhe të jeni të sinqertë me partnerin tuaj. Vetëm duke adresuar këtë çështje që në fillim mund të ruani një marrëdhënie të shëndetshme dhe të ekuilibruar. /Telegrafi/