Telegrafi

Njihuni me jurinë e kategorisë së filmave të metrazhit të mesëm

Në këtë kategori garuse unike në rajon, filmat e metrazhit të mesëm (nga 25-60 min), juria e këtij edicioni është në këtë përbërje:

YOUSAF ALI KHAN

Filmat e Yousaf trajtojnë çështje të identitetit, margjinalizimit dhe përkatësisë. Ai ka marrë shumë çmime për punën e tij, duke përfshirë 2 nominime për BAFTA për filmat “SKIN DEEP” dhe “TALKING WITH ANGELS.” Filmi i tij i parë artistik, “ALMOST ADULT”, flet për dy fëmijë që duke ikur nga lufta civile, kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar. “NO WAY HOME” është një film që eksploron idetë e asaj se çfarë është një familje dhe kush jemi ne.

Ky film ishte fitues i javës së filmit PriGlobal.

AURITA AGUSHI

Aurita Agushi ka lindur në Gjilan, Kosovë, më 24.10.1975. Arsimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në vendlindje. Në vitin 2003 ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, dega e Aktrimit në klasën e Prof. Enver Petrovcit. Ka luajtur në shfaqje dhe role në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatro të tjera brenda dhe jashtë Kosovës, si: “Një flutur mbi folenë e qyqes”, “Ëndrra e një nate vere”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Roberto Xuko”, “Lisitratë”, “Gratë Trojane”.

Filma: “Kukumi”, “Tri dritare dhe një varje”, “Agnus Dei”, “Babai”, që kanë marrë pjesë në festivale të njohura si “Zemrat” e Sarajevës dhe Festivali i Filmit në Karlovy Vary, duke fituar shumë çmime dhe pjesëmarrje në festivale të tjera në botë. Gjithashtu, vlen të përmendet se kam luajtur në filmin “Shok”, i nominuar për Oscar nga Akademia Amerikane e Filmit. Ndër çmimet e shumta për teatër dhe film si aktorja më e mirë dhe jo protagoniste, kam qenë e nominuar për aktoren më të mirë në Manhattan Short Film Festival.

ALMIR DJIKOLI

Almir Djikoli, drejtor i fotografisë, ka lindur në Sarajevë në vitin 1974. Ka diplomuar në Akademinë e Arteve Skenike në Sarajevë. Prej 28 vitesh bën filma dhe ka realizuar 14 filma artistikë të gjatë, gjashtë seriale televizive dhe mbi 20 dokumentarë të gjatë. Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në fushën e kinematografisë. Është themelues i Shoqatës së Kinematografëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Kinematografëve IMAGO. Aktualisht punon si ligjërues në Akademinë e Arteve Skenike në Sarajevë.

Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata.