Për herë të parë në botë, një grua do të martohet me një hologram të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (Al).
Burri i ardhshëm i artistes spanjolle, Alicia Framis është një entitet dixhital i krijuar me teknologji holografike.
Tashmë, ajo ka rezervuar edhe një vend për dasmën e saj. Ceremonia do të zhvillohet në Roterdam të Holandës.
Sipas spanjolles, emri i burrit të saj të ardhshëm është Alex. Hologrami është dizajnuar në atë mënyrë sa për të “përmbushur të gjitha nevojat e saj emocionale”, transmeton Telegrafi.
Por, martesa e saj duket se nuk është diçka romantike. Ajo është pjesë e projektit të ri të saj të quajtur ‘Hybrid Couple’, me të cilin ajo dëshiron të eksperimentojë me kufijtë e dashurisë, intimitetit dhe identitetit në epokën e AI.
“AI është ende e lidhur ngushtë me shkencën dhe i mungon poezia, arti dhe ngrohtësia”, shpjegoi Framis në një deklaratë në faqen e saj të internetit.
Aktualisht ajo është duke dizajnuar fustanin e saj të nusërisë dhe duke përcaktuar veshjet e dasmorëve të tjerë.
Në rrjete sociale ajo ka shpërndarë foto ku shfaqet mjaft e lumtur me partnerin e saj Alex. /Telegrafi/