Tifozi me origjinë nga fshati Tatesh i Strugës, Besmir Limani, i njohur si “fytyra me shqiponjë” është pajisur tashmë me pasaportë të Shqipërisë.
Fytyra e tij e pikturuar me shqiponjë ka shumë vite që zë vend në çdo medium shqiptar, por edhe botëror.
Imazhet e tifozit shqiptar në ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë kanë bërë që ai të jetë shumë i përfolur.
Bëhet fjalë për Besmir Limanin, djaloshi me origjinë nga fshati Tatesh i Strugës, i cili jeton në Winthertur të Zvicrës.
“Fytyra me shqiponjë” nuk lë ndeshje të kombëtares kuqezi pa e shikuar, qoftë në shtëpi apo në udhëtim dhe tashmë ai është ‘shpërblyer’.
Shteti shqiptar ka vendosur ta pajis me pasaportë kuqezi tifozin e njohur, i cili nuk ka hezituar ta ndajë lajmin me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
“I nderuari Ministër. Te faleminderit publikisht për realizimin e ëndrrës për pajisjen me pasaportë shqiptare. Në Gjermani Euro 2024, unë Besmir Limani “Fytyra me shqiponjë” udhëtoj edhe me dokument Kuq e Zi!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/