Ylli me prejardhje shqiptare, Adnan Januzaj beson se Paul Pogba do të qëndrojë te Manchester Unitedi përtej kësaj vere përkundër pasigurisë që rrethon të ardhmen e tij.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën ka qenë prej kohësh i lidhur me një largim nga Old Trafford dhe vetë Pogba ka deklaruar vitin e kaluar se po kërkonte një ‘sfidë të re’ për karrierën e tij.
Por Januzaj, i cili është mik i ngushtë me Pogban që nga koha e tyre e kaluar në radhët e të rinjve të Unitedit, ka thënë se ai pret që mesfushori të zgjasë qëndrimin në Old Trafford.
“Unë mendoj se Paul do të qëndroj”, ka thënë fillimisht Januzaj për Het Nieuwsblad.
“Jam akoma shumë, shumë i afërt me Paulin. Ne e kemi njohur njëri-tjetrin që kur ishim fëmijë, kur të dy kemi luajtur në ekipet e të rinjve të Unitedit”.
“Familjet tona janë gjithashtu miq të ngushtë dhe ne mbajmë kontakte. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, përfundoi ylli shqiptar.
Pogba ka pasur një sezon zhgënjyes dhe ka dështuar të tregojë formën më të mirë për shkaku edhe të lëndimeve të shpeshta.
Francezi është lidhur me një transferim te ish-skuadra e tij, Juventusi dhe gjiganti spanjoll Real Madridi.
Sidoqoftë, ka paqartësi nëse ndonjëra skuadër do të jetë në gjendje të paguaj tarifën e tij të transferimit për shkak të implikimeve financiare pas pandemisë së coronavirusit.
Kontrata e tij skadon në fund të sezonit të ardhshëm, por klubi ka mundësinë të detyrojë një zgjatje njëvjeçare të kontratës aktuale të mesfushorit. /Telegrafi/