Telegrafi

Njesitet speciale të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it demonstrojnë “forcën” me ushtrime të përbashkëta

Sot në kampin “Vrella”, Policia e Kosovës dhe EULEX-i mbajtën një ushtrim fushor i cili u përcoll nga afër, nga zyrtarë të lartë shtetërorë, kryesuesi i misionit të EULEX-it Lars – Gunnar Wigemark si dhe përfaqësues nga KFOR-i të cilët ishin në cilësi të vëzhgueseve.

“Përmes këtij ushtrimi fushor të quajtur “Veprimi i shpejtë”, Policia e Kosovës me zyrtarët e saj të njësiteve speciale dhe të rendit publik dhe ato të njësiteve speciale nga EULEX-i, demonstruan aftësitë dhe shkathtësitë e tyre profesionale, në bashkërendim dhe komunikim të ndërsjellë, në rast të intervenimit dhe menaxhimit me situata të ndryshme në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ushtrimet e përbashkëta kanë për qëllim ruajtjen e rendit publik, ofrimin e sigurisë ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallime.

U vlerësua si mjaft profesional ky angazhim i njësiteve policore.

“Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë kapacitete dhe janë të gatshme në reagime dhe veprime policore në situata të ndryshme të menaxhimit me turma, e ku synimi i përbashkët është ruajtja e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet mes tjerash në njoftim./Telegrafi/