Site icon Telegrafi

Njeriu i cili nga librat e hedhur ndërtoi bibliotekën që po transformon Kolumbinë (Video)

Një burrë nga Kolumbia, ka punuar për 20 vite si pastrues rrugësh, dhe ai është dëshmi e gjallë që nga mbeturinat mund të krijohet një “pasuri”.

Duke vozitur kamionin e mbeturinave nëpër rrugët e Bogotës, ka mbledhur librat e hedhur nëpër tokë dhe i ka koleksionuar në podrumin e shtëpisë, të cilën më vonë e shndërroi në një bibliotekë ku të gjithë kanë mundur të shkojnë të lexojnë e huazojnë libra, pa e dhënë as edhe një cent, transmeton Telegrafi.

HoseAlbertoGutieres, 54-vjeç, ka fituar epitetin e “Zotëria i librave”, pasi që në vitin 1997 ka mbledhur libra të cilat qytetarët i gjuanin në kontejnerët e mbeturinave.

Librin e parë që e kishte marrë nga kontejnerët ka qenë “AnnaKarenina” të shkrimtarit të njohur rus Lev Tolstoj.

Më vonë ka filluar të dërgojë në shtëpi kopje të librave tjerë si “Princi i i vogël”, “Iliada” dhe disa tjera të shkrimtarit më të njohur kolumbian Gabriel Garcia Marquez.

Dhe, me kalimin e kohës u bë i njohur në lagjen e tij si koleksionues i librave, kështu që fqinjët filluan t’i huazojnë librat qoftë për vete apo fëmijët e tyre.

Ky veprim e ka shtyrë atë dhe bashkëshorten e tij, që në vitin 2000 ta shndërrojë podrumin e shtëpisë në një bibliotekë pa pagesë, të cilës i vuri emrin “Fuqia e fjalës”.

Të gjitha ato libra që nuk ishin në gjendje të mirë i rregullonte bashkëshortja e tij, e cila është më profesion rrobaqepëse dhe i ngjiste fletët që ishin shqyer apo dëmtuar.

Biblioteka e tij u bë aq e famshme, sa që filluan ta vizitojnë turistë nga e mbarë bota.

Përveç që mori epitetin e bibliotekës më të mirë në vend, ajo mori pjesë në panaire të ndryshme të librave në Kili, Meksikë dhe Kolumbi, duke mbledhur qindra fëmijë që dëshironin të dëgjonin rrëfime të ndryshme nga librat për fëmijë.

Por, humanizmi i tij nuk përfundoi me kaq, pasi familje Guteres derisa udhëtonte nëpër Kolumbi shpërndante libra falas nëpër zonat e varfra.

Tani pothuajse të gjithë kërkojnë ndihmë nga ai, madje thuhet se një përfaqësues i FARK-ut i kishte telefonuar duke i kërkuar që t’i ndajë disa libra për luftëtarët e tij të cilët pas plot 50 viteve luftë dëshirojnë t’i kthehen jetës civile dhe të arsimohen. /Telegrafi/

 

Exit mobile version