Site icon Telegrafi

Njëri nga shqiptarët e suksesshëm në Londër: Britania do të mbetet në BE

Emanuel Bajra, është një nga shqiptarët e suksesshëm në Londër. Profesioni i tij ka të bëjë me paratë. Dhe pikërisht janë paratë ato të cilat këto ditë po përmenden mjaftë shumë tek raportet dhe rezultatet që mund të sjell dalja apo qëndrimi i Britanisë së Madhe në BE.

Ai është një nga gati 50 milionë qytetarët britanikë që sot pritet të votojnë në referendumin e madh të britanikëve, duke u përgjigjur në pyetjen se nëse duhet të qëndrojë apo të dali Britania nga Bashkimi Evropian.

Emanuel Bajra, jeton dhe vepron në Londër. Punon për B-Capital, institucion financiar që merret me evoluimin e aseteve bankare, borxhit sovran, shkëmbimeve monetare dhe kredit e korporatave.

Roli i tij në institucion ka të bëjë me analizimin e aseteve, çmimoren dhe evoluimin e investimeve korporatave dhe private.

Puna e tij është në “The Square Mile”, që njihet si qendra kryesore financiare me seli në Londrën Qendrore.

KosovaPress ka realizuar një intervistë online me Bajra, me përqendrim në votimin e sotëm të britanikëve dhe gjasat e mbetjes apo daljes së Britanisë nga BE.

z.Bajra, sot po vendoset për fatin e Britanisë në raport me BE-në. Një referendum që ka vëmendjen e gjithë Evropës dhe më gjerë. Ju vetë a dolët në votime sot?

Emanuel Bajra: Sot Britania e Madhe vendos nëse do të mbetet akoma anëtare e BE-së apo të ndahet nga ky union politiko-ekonomik. Duke marr parasysh rrethanat politike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohet Unioni Evropian sot, sfidat gjeopolitike, kërcënimet në lindje, si edhe rreziqet e ndryshimeve politike në SHBA, referendumi në Britani do të jetë përcaktues jo vetëm i të ardhmes së popullit britanik, por, unë besojë edhe më gjerë. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij referendumi, unë kam votuar që Britania e Madhe të mbetet anëtare e Unionit Evropian duke i mundësuar këtij vendi ruajtjen e një influence më të madhe në Union. Vendi ndodhet në një atmosferë paksa të tendosur në kuptimin që njerëzit ndodhen të jenë të stresuar dhe ata përjetojnë dilema nga më të ndryshmet, duke filluar që nga pyetja se çfarë do të ndodh nëse rezultati do të jetë BREXIT, ose edhe nëse Britania mbetet anëtare e Unionit çfarë është strategjia e këtij vendi për të shkuar përpara në një Union të vjetër por me kërkesa që vendi dhe pozicioni britanik brenda tij të jetë i ndryshuar dhe me një sovranitet më të madh.

Çfarë sipas jush është disponimi i britanikëve për dalje ose qëndrim ne BE?

Emanuel Bajra: Britaniket janë të ndarë mu në dysh në këtë referendum. Në një anë kemi mbështetësit e UKIP (Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar) e cila kërkon ndarje totale nga Unioni Evropian dhe ri-marrje të të gjitha kompetencave legjislative, politike dhe ekonomi ke duke i kthyer ato në Parlamentin britanik dhe duke kërkuar që Britania të mbajë vetëm raporte tregtare me BE-në, ulje dhe reduktim masiv të imigracionit, kontrollim të rreptë të kufijve si edhe ri-negocim i të gjitha marrëveshjeve tregtare me BE-në. Në anën tjetër kemi krahun e ‘establishmentit’, argumenti i tyre është pro një qëndrimi brenda BE-së por me kërkesa për reformim në BE-në si edhe ndryshime radikale në aspektin e ndalimit të ndërhyrjeve në sovranitetin e Britanisë nga Brukseli. Britanikët janë popull shumë krenar me historinë dhe të kaluarën e tyre. Ata ndjehen të kërcënuar nga interferencat e njëpasnjëshme nga Brukseli si edhe rreziku i ‘erodimit’, pakësimit të sovranitetit të vendit. Tema më debatuese në publikun britanik është pikërisht çështja e imigracionit që ka bërë të mundur uljen e rrogave të punëtoreve britanik, ndikim të dukshëm në nivelin e jetesës, rritjen e papunësisë në mesin e britanikëve si edhe ftohje raportesh në mes të komuniteteve të ndryshme në vend. Fushata elektorale e drejtuar nga kampi i “Remain” – pro qëndrimit të Britanisë në BE- ka mbështetjen e shumë prej bizneseve më të mëdha të vendit siç janë: Rolls-Royce, HSBC, LLoyds BAnk, Barclays, BAE Systems, Jaguar, Land Rover, Ford, e shumë korporata tjera të cilat kanë frikë prej një rreziku të ndarjes së vendit nga BE-ja. Nga shumë biseda dhe observime që bëj në Londër, jam shumë i befasuar nga përkrahja e madhe që kampi për dalje nga BE posedon, është gati-gati e frikshme një devotshmëri e tillë e njerëzve për të ndryshuar raportet me BE-në, kjo siç edhe e thashë më tepër po bëhet si pasojë e trajtimit të temës së imigracionit, si tema më e rëndësishme, si edhe e pa aftësisë së qeverisë Cameron në adresimin e këtij perceptimi. Natyrisht, kryeministri David Cameron mban një përgjegjësi të madhe në këtë kuadër pasi që ai i pati premtuar popullit britanik që në vitin 2014 se po qe se do të fitojë zgjedhjet e vitit 2015 ai do të thirrë referendum për mbetje ose jo të BM-së në BE. Ky hap strategjikisht i gabuar u bë për shumë arsye, por më e zëshmja është pikërisht nga kërcënimet brenda partiake që ai merr nga krahu i djathtë i partisë konservatore që kanë tendenca anti-BE.

Ju si i parashikoni rezultatet e votimit?

Emanuel Bajra: Unë pres një rezultat pozitiv nesër, pa marr parasysh se kampi anti-BE ka një epërsi në surveimet elektorale ditëve të fundit, ku disa sondazhe nxjerrin ata me gati 2% epërsi ndaj kampit IN. Tregjet financiare sot kanë regjistruar rritje si rezultat i pritjeve të një fitoreje të kampit IN, përderisa britanikët sot që nga ora 7 e mëngjesit kanë filluar të shkojnë në qendrat e votimit. Britanikët nuk i kanë shume në qejf ndryshimet e mëdha dhe të shpejta politike apo ekonomike, a ta preferojnë evolucionin ndaj revolucionit , për këtë arsye kam besim të plote që Britania nesër do të dali me rezultat se u votua Pro qëndrimit në BE.

Nga këndvështrimi profesional, ekonomikisht kush sipas jush do të jetë më e dëmtuar në rast se Britania vendos të dali nga BE?

Emanuel Bajra: Kemi dy skenarë për të cilat duhet t’i marrim parasysh këtu. Nëse Britania vendos të dali nga BE nesër, atëherë procedurat e divorcit do të zgjasin plot 2-3 vite me një kosto të lart ekonomike për Britaninë, ku pritet të kemi ‘outflow’ ose rrjedhje të kapitalit jashtë vendit. Britania e Madhe kontribuon përafërsisht 16 miliardë sterlina në vit në buxhetin e Unionit Evropian. Përfiton nga tregu i lirë dhe tarifat e ulëta përafërsisht 60 miliardë sterlina në vit, përderisa në masë të madhe Britania e Madhe është eksportuesja më e madhe e shërbimeve financiare, ekspertizës dhe teknologjisë në Evropë dhe në botë. Bankat evropiane varen totalisht në EURIBOR, LIBOR dhe tregun më të madh të shkëmbimeve monetare me seli në Londër, pasi që Londra është kryeqendra e transaksioneve financiare me një vlere prej 30 trilionë sterlina në ditë, sa dy herë e tërë GDP-ja e SHBA-ve. Me daljen e Britanisë nga BE jo vetëm që pasojat do të jenë të pa përcaktuara për Britaninë, por ato do ti bart edhe BE, pasi që do të humb partnerin më të fuqishëm ekonomik, ushtarak dhe gjeo-politik në kontinent. Sfida për Britaninë e Madhe është se ajo me dalje nga BE do t’i vështirësohet pozicioni ekonomik dhe pesha financiare për një periudhë dhjetë vjeçare, përderisa vendi do të zhytet në një recesion të gjatë. Në ndërkohë, BE do të ballafaqohet me mungesë të kredibilitetit si union funksional, investitorët do të kërkojnë vende tjera të sigurta për të kryer transaksionet e tyre si dhe kontinenti do të zhytet në një krizë të re ekonomike dhe rritjen e kërkesave dhe presionit të partive me tendenca nacionaliste për ndarjen dhe shpërbërjen e Unionit Evropian.

Exit mobile version