Njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman, mbrëmjen e së martës dha rrëfimin ekskluziv të përjetimeve të saj atëbotë si një 16 vjeçare.
Vasfije Krasniqi theu mbrëmë tabunë e shumë grave kosovare, duke u bërë ajo e parë që ka rrëfyer për dhunimin seksual që asaj i ishte bërë në luftën e fundit në Kosovë.
Por sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, ka dy persona për të cilët Gjykata Supreme kishte sjellë aktgjykim për kryerje të veprës penale të dhunimit si krim i luftës kundër popullatës.
Në raport figuron dhe emri i Jovica Dejanoviq, personit në fotografi, ish paramilitar serb njëherit i cili ka shërbyer në Policinë e Kosovës për 16 vjet, person i cili është identifikuar si përdhunues i kosovares Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë luftës.
“Policia e Kosovës konfirmon se personi i apostrofuar; J. D. ka qenë i punësuar në Policinë e Kosovës nga data 12.02.2001 deri më 15.06.2017, kur edhe iu është shqiptuar masa disiplinore ndërprerje e marrëdhënies se punës”, njofton zyra e informimit nga Policia e Kosovës, përcjell Telegrafi