Një shqiptar nga Kosova është arrestuar në komunën Desenzano del Garda në provincën e Breshës në Itali, i akuzuar si një nga autorët e grabitjes në vilën e familjes së njohur italiane Agnelli, pronarë të klubit të Juventusit dhe të shoqërisë së prodhimit të automjeteve të markës Fiat.
42-vjeçari është arrestuar pas një kontrolli rutinë të policisë rrugore italiane. Në makinën e tij është gjetur një orë dore me vlerë 200 mijë euro.
Pas verifikimeve të forcave të rendit është vërtetuar se kjo orë i përkiste familjes Agnelli, e rezulton si një nga objektet e vjedhura në këtë vilë.
Në zotërim të shtetasit kosovar janë gjetur gjithashtu dhe çelësat e një banese në qytetin Cinisello Balsamo në provincën e Milanos, njofton Kosovapress.
Pas kontrollit në këtë banesë policia italiane ka gjetur 18 orë tjera dore e disa monedha ari, të gjitha pjesë e materialeve të vjedhura në vilën Agnelli.
Vila Agnelli është në pronësi të Allegra Agnelli, e veja e sipërmarrësit të njohur italian Umberto Agnelli si dhe nëna e Andrea Agnellit, presidentit të Juventusit.
Vila, e cila gjendet në hyrje të qytetit të Torinos, në brendësi të parkut della Mandria, u grabit më datën 26 mars, në prag të festës së Pashkëve. Supozohet se banda grabitëse përbëhet nga katër anëtarë te gjithë me nënshtetësi të huaj.
Autoritetet italiane po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje e mbi të gjitha të faktit se si grabitësit kanë mundur t”i shmangen mbikëqyrjes private të kësaj vile.