Telegrafi

“Njerëzit e mi e dinë se çfarë dua”, Olmo flet për klauzolën dhe transferimin

Ylli spanjoll, Dani Olmo po bën përshtypje në Kampionatin Evropian në Gjermani. Me tre gola të shënuar barazohet në vendin e parë në listën e golashënuesve, me dy asistime renditet i dyti në listën për asistuesit më të mirë, ndërsa Spanja e tij do të luajë kundër Anglisë për titullin kampion të Evropës të dielën, duke filluar nga ora 21:00. Pas Euro 2024 do të shihet nëse Olmo do të qëndrojë në RB Leipzig apo do të ndryshojë klub.

Olmo ka vite që luan mirë në ligën e parë gjermane me RB Leipzig, për të cilët shënoi tetë gola dhe asistoi pesë herë në 25 ndeshje sezonin e kaluar.

Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg është 50 milionë euro dhe sipas klauzolës në kontratë, klubet mund ta transferojnë deri më 20 korrik nëse i japin RB Leipzig shumën e 60 milionë eurove.

Lexo po ashtu Katër top klube evropiane të gatshme ta paguajnë klauzolën e Dani Olmos

Është e qartë se RB Leipzig do të mund ta shesë atë edhe pas asaj dite, nëse ata dëshirojnë, por është gjithashtu e qartë se klubet e interesuara do të duhet të paguajnë një çmim shumë më të lartë që mesfushori 26-vjeçar i vendosi vetes pas paraqitjeve të shkëlqyera në Euro 2024.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë reprezentuesi spanjoll.

“Njerëzit e mi e dinë se çfarë dua. Jam shumë i zënë me Kampionatin Evropian për të menduar për gjëra të tjera. Jam nën kontratë me Leipzigun dhe në marrëdhënie të mira me klubin. Nuk do të ketë probleme”, ka thënë fillimisht Olmo dhe konfirmoi klauzolën prej 60 milionë eurosh deri më 20 korrik.

 

“Klubet e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Nëse nuk e bëjnë, do të duhet të luftojnë pak. Më pas fillojnë negociatat e vështira”, përfundoi Olmo, i cili po lidhet me një kalim në një nga gjigantët evropianë.

Përmenden Manchester United dhe Manchester City, Bayer Leverkusen, Chelsea, por edhe një rikthim te Barcelona, ​​nga ku mbërriti te Dinamo Zagreb si adoleshent. /Telegrafi/