Ekipet e zjarrit dhe të shpëtimit po luftonin për të kontrolluar një zjarr të madh, i cili shpërtheu në një fabrikë riciklimi që ruan plastikë në Albuquerque, New Mexico, të dielën, më 6 gusht.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen në qiell ndërsa zjarri ndodhte në Mesa del Sol, jo shumë larg aeroportit ndërkombëtar Sunport të Albuquerque dhe studios lokale të filmit.
Si pasojë, zyrtarët e qytetit lëshuan një alarm shëndetësor për rajonin, duke i këshilluar njerëzit të qëndrojnë brenda dhe të mbajnë dritaret dhe dyert të mbyllura, për shkak të ndotësve të rrezikshëm të ajrit në tymin nga plastika që digjej.
Autoritetet e Albuquerque paralajmëruan më tej njerëzit që të qëndrojnë larg zonës, duke thënë se zjarri ishte jashtë kontrollit, duke përfshirë strukturat, produktet dhe automjetet.
Në një konferencë për shtyp zyrtarët thanë se zjarri mund të vazhdonte “potencialisht për disa ditë”, sipas mediave. /Telegrafi/