Telegrafi

“Një zemër për Florijanën dhe familjen e saj” – Young Boys me një gjest emocionues për futbollisten e zhdukur

(Foto: Instagram/_florij/Twitter/BSC_YB)

Futbollistja shqiptare, Florijana Ismaili, është shpallur e zhdukur që nga dita e shtunë pas një aksidenti gjatë notimit në Liqenin Como të Italisë.

24-vjeçarja ishte hedhur në ujë nga barka, pas një dite relaksi me një shoqe të saj dhe nuk kishte dalë më në sipërfaqe të ujit. Përkundër kërkimeve intensive që po i bëjnë ekipet e kërkim-shpëtimit, ajo akoma nuk është gjetur.

Ndërkaq, tashmë gjasat që Florijana të gjendet gjallë janë zbehur shumë, teksa nga klubi i saj, Young Boys, kanë thënë se tashmë duhet pritur më e keqja.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për zhdukjen e Florijanës

Autoritetet italiane nuk po heqin dorë nga kërkimet, mirëpo tashmë jemi në ditën e katërt që nga zhdukja e lojtares dhe gjasat që ajo të ketë shpëtuar janë shumë të vogla.

Klubi zviceran e ka kontaktuar familjen dhe të afërmit e Florijanës duke ua dhënë mbështetjen më të madhe të mundshme. Një delegacion nga Young Boys ka udhëtuar në Liqenin Como për ta ndihmuar familjen e lojtarëve.

Në ndërkohë, ekipi i parë dhe stafi i Young Boys kanë formuar një zemër në kampin stërvitor në Fugen, të cilin ia kanë kushtuar Florijanës dhe familjes së saj.

“Një zemër për Florijanën dhe familjen e saj”, shkruan në përshkrimin e videos së publikuar në Twitter. /Telegrafi/