Një Xhami në Berlin është bërë e para në Gjermani që valoi një flamur ylber në mbështetje të komunitetit LGBTI+ përpara Paradës së Krenarisë.
Xhamia Ibn Rushd-Goethe në lagjen qendrore Moabit shpalosi një flamur përpara lutjeve të së premtes ku ishin mbledhur një numër i vogël i besimtarëve. Aty ishte edhe senatori i Berlinit për kulturën, Klaus Lederer.
Të pranishmit mbanin afishe me ngjyrë ylberi ku shkruhej “Dashuria është hallall (e lejuar)”. Xhamia, e themeluar pesë vjet më parë, është e vetmja xhami e vetëshpallur liberale në Gjermani dhe lejon burrat dhe gratë të luten së bashku, dhe është gjithashtu e hapur për besimtarët LGBTI+, raporton dw.
Mo El-Ketab, një nga gjashtë imamët në xhami, tha se ai dëshiron që xhamia të sigurojë “një vend të sigurt për njerëzit që janë të ndryshëm, në mënyrë që edhe ata të mund të përjetojnë anën shpirtërore të jetës së tyre. Shpresoj që shumë xhami të tjera ta shfaqin flamurin në këtë mënyrë ose të vendosin shenja të tjera pozitive për komunitetin LGBTI+”.
Marc-Eric Lehmann, një anëtar i bordit të CSD-së, tha se shfaqja e flamurit ishte një “shenjë tepër e fuqishme” dhe se ishte “me të vërtetë e rëndësishme” gjetja e një hapësire për fenë në komunitetet LGBT. “Dhe njerëzit queer mund të jenë fetarë dhe të besojnë në Zot,” tha ai.
“Ne nuk duhet të flasim vetëm për hapësira të sigurta në bare dhe klube në Berlin, duhet të flasim edhe për hapësira të sigurta në ndërtesat fetare”, shtoi ai.
Këtë muaj, Berlini do të presë dy ngjarje të mëdha në mbështetje të komunitetit LGBTi+ dhe Festivalin e Lezbikeve dhe Homoseksualëve më 16 dhe 17 korrik dhe Paradën e Krenarisë së Berlinit e njohur si Dita e Rrugës së Kristoforit (CSD) më 23 korrik. /Telegrafi/