Site icon Telegrafi

Një vit qeverisje në Prishtinë – LVV mbush sheshin me ‘dështimet’ e Ramës, ai thotë se po transformohet kryeqyteti

Teksa Përparim Rama mburret me qeverisjen njëvjeçare në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar atë duke mbushur sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet me ‘dështimet’ e tij.

“Kaos për të gjithë” është titulluar aktiviteti i sotëm i LVV-së, asamblistët e së cilës në Prishtinë vendosën 12 pankarta që sipas tyre, paraqesin dështimet dhe premtimet që nuk janë realizuar nga kryetari Rama.

“Qentë i arrestojmë, bërllok pa kufij, ekspertët e kryetarit”, ishin disa nga titujt e pankartave.

Kryeasamblisti i LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, para mediave ka thënë se 206 premtimet e dhëna nga Rama, të gjitha kanë mbetur vetëm në letër. 

“Përmes këtyre 12 pamjeve që i kemi marrë në lagje të ndryshme të kryeqytetit, i kemi paraqitur 12 muajt e qeverisjes së koalicionit LDK-PDK në Prishtinë. Nëse qëndron thënja se ‘një foto vlen sa një mijë fjalë’, atëherë këtu i kemi 12 mijë fjalë që përshkruajnë katrahurën dhe kaosin në të cilin e kanë futur Prishtinën”, ka deklaruar Sveçla.

Ai tutje është shprehur se “për një vit qeverisjeje të LDK-së dhe PDK-së, nuk ka dyshim se jeta e qytetarit të Prishtinës është bërë më e rëndë, më e vështirë dhe më pak kualitative sesa ka qenë para një viti”.

“Sot ka më shumë mbeturina, më shumë rrezik nga qentë endacakë, më shumë tollovi, kolona më të gjata, më shumë pritje dhe vonesa, parking më të shtrenjtë, taksi me çmim më të lartë, më shumë gropa në rrugë, më pak gjelbërim, më pak ndriçim… e kështu me radhë”, ka thënë Sveçla.

Punën e kryetarit Rama e ka kritikuar edhe shefi i grupit të asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, Bahri Gashi.

Shefi i grupit të asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, Bahri Gashi

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se viti që po e lëmë pas, për Komunën e Prishtinës dhe për qytetarët ka qenë më i rëndi, i cili sipas tij, është përcjellë me mospunë dhe neglizhencë.

“Komuna e Prishtinës ka thyer rekord në kthimin e vendimeve nga institucionet qendrore, ka thyer rekord edhe brenda vetes duke anuluar plane rregullative (Kalabri, Arbëri etj), e pastaj duke i kthyer po vet prapë, anulim pa asnjë arsye, e kthimi ka qenë edhe sukses pas presioneve të opozitës e edhe banorëve dhe disa faktorë tjerë”, ka deklaruar Gashi.

Ai tutje ka përmendur problemin me qentë endacakë, atë të mbeturinave, investimet në infrastrukturë si dështime të kësaj qeverisje.

Ndërsa, sa i përket premtimeve elektorale, Gashi ka thënë se pothuajse asnjë prej tyre nuk ka gjetur vend në buxhetin për vitin 2023.

“Ne si AAK bashkë me pjesën tjetër të opozitës, kemi bërë disa përpjekje që të jemi më aktivë në tema dhe të ndryshojmë proceset për të mirën e qytetarit, por ka qenë e vështirë. Shpresojmë në reflektim se përndryshe Prishtina ka filluar të degradojë”, ka përfunduar ai.

Ndryshe nga opozita, i pari i kryeqytetit në një postim në llogarinë e tij në Facebook, tha se fillimet janë plot sfida, por  ato bashkë me ekipin i kanë tejkaluar për të vënë në rrugën e duhur projektet dhe planet për transformimin e kryeqytetit.

“Të dashur qytetarë, udhëtuam plot një vit së bashku prej ditës që ma dhatë votëbesimin për të qenë kryetar i Kryeqytetit. Fillimet janë plot sfida, të cilat vetëm me dedikimin, energjinë dhe punën e pandalshme të krejt ekipit, i kapërcyem për të vënë në rrugën e duhur projektet dhe planet për transformimin e Kryeqytetit dhe përmirësimin e jetës së gjithsecilit”, ka shkruar ai, duke i falënderuar të gjithë për mbështetjen e vazhdueshme. /Telegrafi/

Exit mobile version