Një vit më parë, paqeruajtësit e misionit të KFOR-it u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit nga një grup protestuesish serbë.
Në reagimin e KFOR-it në njëvjetorin e këtij sulmi theksohet se 93 efektivë u plagosën në atë kohë, disa prej të cilëve me lëndime të rënda dhe këto sulme sipas tyre ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme.
Në njëvjetorin e sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash thekson se guximi i ushtarëve ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës.
“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin… Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha Ulutash, komandant i KFOR-it.
Tutje në reagim thuhet se e faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë në Kosovë.
Referuar njoftimi, KFOR ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare administrative.
“Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet tutje.
Komandanti Ulutash shprehet se do të jenë të palëkundur për të kontribuar në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetit rajonal.
“Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, u shpreh tutje gjeneralmajor Ulutash. /Telegrafi/