Telegrafi

Një video ku shihet Zelensky duke puthur Nancy Pelosin në Kongres është parë rreth 400 mijë herë

Një video e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy duke puthur në faqe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, pas fjalimit të tij në një seancë të përbashkët të Kongresit është parë rreth 400 mijë herë – së paku deri në momentin e publikimit të lajmit.

Zelensky e mbajti fjalimin në Kongres në anglisht gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë Ukrainës që kur Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë më 24 shkurt dhe ai falënderoi SHBA-në dhe aleatët e saj për mbështetjen e tyre.

Në fund të fjalës së tij, Zelensky i prezantoi Kongresit një flamur ukrainas që ai kishte marrë nga trupat gjatë një vizite në qytetin e Bakhmut në rajonin lindor të vendit Donbas.

Teksa Zelensky ia dorëzoi flamurin Pelosit, ai u afrua dhe e puthi atë në faqe, përcjell Telegrafi.

Ajo dukej e befasuar, por i buzëqeshi Zelenskyt dhe ngriti flamurin së bashku me nënpresidenten Kamala Harris.

Dhe një video e momentit e postuar në Twitter nga John Hudson i The Washington Post ishte parë më shumë se 200,000 herë që nga mëngjesi i së enjtes.

Gjatë fjalimit të tij të mërkurën, Zelensky tha se rezistenca e vazhdueshme e Ukrainës ndaj pushtimit rus ishte një fitore për SHBA-në dhe Evropën, si dhe Ukrainën dhe vazhdimisht vuri në dukje ndihmën që Kievi ka marrë nga SHBA-të dhe aleatët e saj.

Pelosi do të largohet nga roli i saj drejtues në grupin demokratik në janar, por ajo do të mbetet në Dhomën e Përfaqësuesve duke përfaqësuar distriktin e saj në Kaliforni. /Telegrafi/