Telegrafi

Një veturë përplaset në portën e ambasadës ruse në Bukuresht, përfshihet nga zjarri dhe shoferi humb jetën – publikohen pamjet

Një veturë është përplasur në portën e ambasadës ruse në Bukuresht të Rumanisë, duke bërë që mjeti motorik të përfshihet nga zjarri dhe personi i paidentifikuar që ishte brenda të humb jetën, ka njoftuar policia rumune.

Siç raporton AP, vetura u përplas në portën e ambasadës rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm, por se nuk ka arritur të depërtoj brenda oborrit të ambasadës në Bukuresht, transmeton Telegrafi.

Një video shfaq veturën e përfshirë nga zjarri, si dhe personelin e ambasadës që vrapon drejt portës.

Sipas policisë rumune, zjarrfikësit kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin, por aty konstatuan se shoferi që ishte brenda ka ndërruar jetë.

Deri më tani nuk dihen motivet e këtij veprimi, ndërsa Rumania kufizohet me Ukrainën dhe ka pranuar mbi 600 mijë refugjatë që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. /Telegrafi/