(E plotësuar: 01:56) Policia e Kosovës ka njoftuar se është shënuar viktima e dytë si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se pas kërkimeve është gjetur pa shenja jete edhe nëna e fëmijës 5-vjeçar që humbi jetën në lagjen ‘Asllan Qeshme’.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orё 01:20, tёdatës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në komunikatë.
_______________________________________________
Një fëmijë ka vdekur si pasojë e vërshimeve që kanë përfshirë qytetin e Pejës këtë të shtunë.
Burimet e Telegrafit brenda Prokurorisë Themelore në Pejë bëjnë të ditur se një person tjetër është në kërkim.
E drejtori mjekësor në Spitalin e Pejës, Besnik Ibraj, ka konfirmuar për median lokale “Peja në Fokus” se fëmija që u gjet i vdekur është i moshës rreth 5-vjeçare.
“Konfirmojmë se një fëmijë rreth moshës 5-vjecare ka vdekur. Dy të lënduar janë në intensivë”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Pejës, Faik Zekaj, por i njëjti ka deklaruar se nuk kanë informacion zyrtar.
”Nuk kemi informacion zyrtar, por policia dhe drejtori i Emergjencave janë duke shkuar në vendin e ngjarjes”, ka thënë shkurt Zekaj.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm./Telegrafi/