Telegrafi

Një i vdekur pas një sulmi me armë në një fabrikë në Georgia – arrestohet i dyshuari

Policia ishte në kërkim për motivin e të shtënave fatale të premten në një fabrikë në Conyers, Georgia, rreth 25 milje në juglindje të Atlanta.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një person i armatosur hyri në uzinën e Dart Container Corp rreth orës 7 të mëngjesit dhe shtiu me armë në drejtim të një punonjësi, tha Sherifi Eric Levett në një konferencë për shtyp.

Policia u përgjigj në vendngjarje brenda tre minutave dhe e çoi viktimën në një spital aty pranë, ku vdiq nga plagët e tij, tha sherifi.

Viktima, Tarus Andrews, ishte një punonjës në të 40-tat.

I dyshuari iku nga zona, por më vonë u arrestua në një stacion autobusi Greyhound në Birmingham, Alabama, rreth 170 milje larg vendit të ngjarjes.

I dyshuari, Camron Golden, ishte një punonjës i përkohshëm në Dart Corp. dhe është akuzuar për vrasje, tha Levett.

Nuk ishte e qartë menjëherë nëse Golden kishte në shënjestër Andrews, çfarë arme kishte përdorur, ose sa të shtëna kishte qëlluar, tha Levett. /Telegrafi/