Telegrafi

Një i vdekur dhe dy të plagosur nga të shtënat me armë në një qendër tregtare në Kolorado

Një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë nga të shtënat në një qendër tregtare në Kolorado Springs, Kolorado, në prag të Krishtlindjeve.

Policia e vendit zbuloi se ngjarja nisi nga përleshja e dy grupeve.

Sipas zëdhënësit të policisë, Ira Cronin, përleshja fillimisht dukej si “grindje me grushta”, përpara se të shndërrohej në të shtëna armësh.

Nga incidenti në fjalë një burrë u gjet i vdekur, dy janë plagosur, ndërsa një grua ka marrë lëndime të lehta, përcjell Telegrafi.

Cronin theksoi se, janë arrestuar shumë njerëz, por ende nuk dihet se a është vrasësi në mesin e tyre.

“Situata është nën kontroll dhe nuk ka asnjë kërcënim të vazhdueshëm për komunitetin”, tha policia në X.

Qendra tregtare Citadel Mall, është mbyllur për një kohë deri sa njësitë policore e kanë hetuar rastin, por pritet të rihapet së shpejti.

Policia po e heton rastin, dhe po kërkon çdo informacion të mundshëm nga dëshmitarët. /Telegrafi/