Telegrafi

Një i vdekur dhe dhjetëra të lënduar – pamje nga një aksident kur një autobus u përplas dhe rrëshqiti “poshtë një autostrade” në shtetin e Nju Jorkut

Një person ka vdekur dhe dhjetëra janë plagosur – të paktën pesë prej tyre në gjendje të rëndë – pasi një autobus u përplas dhe rrëshqiti “poshtë një autostrade” në shtetin e Nju Jorkut.

Autoritetet në Orange County thanë se kishin të bënin me një “rrokullisje autobusi”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Policia e Shtetit të Nju Jorkut tha se ishte një “përplasje e rëndë autobusi me shumë lëndime të rënda”.

Siç bëhet e ditur më tej, në autobus kishte rreth 45 persona, kryesisht fëmijë – nga të cilët, të paktën pesë persona janë lënduar rëndë.

Ngjarja ndodhi në Interstate 84 në qytetin amerikan të Wawayanda, rreth 75 milje në veriperëndim të qytetit të Nju Jorkut, tha policia.

Është e paqartë se çfarë e shkaktoi përplasjen dhe moti ishte i kthjellët në atë kohë. /Telegrafi/