Site icon Telegrafi

Një variant i ri i coronavirusit po përhapet me shpejtësi në SHBA, Indi dhe Kinë

Një nënvariant i llojit Omicron të coronavirusit është klasifikuar si një “variant me interes” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shkak të “përhapjes së shpejtë”.

JN.1 është gjetur në shumë vende të botës, duke përfshirë Indinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Lexo po ashtu Zvicra është në mes të një vale të coronavirusit

Rreziku për qytetarët është aktualisht i ulët ndërsa vaksinat aktuale vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje, thotë OBSH-ja.

Por, paralajmëron se COVID-19 dhe infeksionet e tjera mund të rriten gjatë këtij dimri, shkruan bbc.

Viruset respiratore si gripi, virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) dhe pneumonia e fëmijërisë janë gjithashtu në rritje në hemisferën veriore.

Virusi që shkakton COVID-19 po ndryshon vazhdimisht me kalimin e kohës dhe ndonjëherë kjo shkakton zhvillimin e varianteve të reja. Omicron ka qenë varianti dominues global për disa kohë.

Lexo po ashtu Pfizer padit Hungarinë, refuzoi të paguajë 60 milionë euro për vaksinat e coronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) aktualisht po gjurmon një numër variantesh me interes të lidhura me Omicron – duke përfshirë JN.1 – edhe pse asnjë prej tyre nuk konsiderohet të jetë shqetësues.

JN.1 aktualisht është varianti me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i cili përbën 15 deri në 29 për qind të infeksioneve. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar tha se JN.1 aktualisht përbën rreth 7 për qind të testeve pozitive për coronavirus. /Telegrafi/

Exit mobile version