Telegrafi

Një ‘tjetër goditje’ ndaj Netanyahut nga ish-kreu i Shin Bet: “Fushata ushtarake në Gaza ka arritur limitin e saj”

Gazeta izraelite Haaretz raporton se ish-shefi i Shin Bet, Ami Ayalon ka deklaruar se “fushata ushtarake në Gaza ka arritur limitin e saj” gjatë një demonstrate në Haifa në Izraelin verior.

Shin Bet i Izraelit, ose Shabak siç njihet në hebraisht dhe arabisht, është shërbimi i brendshëm i inteligjencës dhe një nga tre degët e Shërbimit të Sigurisë së Përgjithshme izraelite.

“Ushtarët tanë detyrohen të ripushtojnë vendet që u pushtuan disa javë më parë dhe të bëhen forca policie për një popullsi plot inat dhe urrejtje. Ata janë të detyruar të vrasin civilë të uritur që i sulmojnë kur ata mbrojnë autokolonat e ndihmave humanitare”, citohet të ketë thënë Ayalon, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Ekipi i OBSH-së arrin në spitalin e shkatërruar të Gazës - sjellin pamje që tregojnë shkatërrimin atje

Ai bëri thirrje që Hamasi të mposhtet “me një kombinim të një procesi politik që do të çojë në një koalicion të moderuar rajonal nën udhëheqjen amerikane dhe saudite”.

Ai citohet të ketë thënë gjithashtu se një koalicion i tillë do të kërkonte “një proces që çon në një kompromis historik me popullin palestinez”.

Haaretz tha se Ayalon e quajti vendimin e Netanyahut për të mos diskutuar “të nesërmen” e luftës një fatkeqësi, duke shtuar, “Pa një qëllim politik, lufta bëhet një betejë e vazhdueshme që askush nuk e di fundin e saj”.

Ndryshe, deklarata e tij vjen në ditën kur protestuesit dolën sërish në rrugët e Tel Avivit, Caesarea-s dhe Haifa-s të shtunën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe zgjedhje të parakohshme.

Siç kanë raportuar mediat, demonstruesit kërkuan gjithashtu lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza.

Lexo po ashtu Motra e pengut të vrarë thotë se qeveria izraelite "ka gjak në duart e saj"

Ata valëvitën flamuj izraelitë dhe mbanin tabela me imazhet e pengjeve, duke i bërë thirrje qeverisë t’i sillte ata të gjallë në shtëpi.

Në Tel Aviv, protestuesit u dëgjuan duke brohoritur: “Ne nuk kemi frikë; ju e shkatërruat vendin dhe ne do ta rregullojmë. Ne duam që ata (pengjet) të kthehen të gjallë dhe jo në arkivole”.

Një tjetër pankartë bënte thirrje për “ndarjen e fesë dhe shtetit”, dhe njëra thoshte se “Netanyahu është i rrezikshëm për Izraelin”.

Protestuesit në Haifa e quajtën qeverinë një dështim, duke thënë se Netanyahu është “fajtor, fajtor, fajtor”. /Telegrafi/