Telegrafi

Një tifoz u fut në fushë dhe i vuri flakë vetes para ndeshjes lamtumirëse te Rodger Federer

Një incident i paprecedentë ndodhi në Laver Cup në Londër, kur një tifoz vrapoi në fushë dhe praktikisht i vuri flakë vetës para tenistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave si Roger Federer dhe Rafael Nadal.

Në duelin e dytë mes skuadrave të botës dhe Evropës mes Stefan Tsitspias dhe Diego Schwartzman, një mashkull ka zbritur nga tribuna, është ulur në beton dhe ka ndezur zjarrin dhe ndaj ndeshja është ndërprerë për disa minuta.

Me atë rast ai i ka vënë flakën edhe vetes, por fatmirësisht forcat e sigurisë kanë reaguar shpejt dhe gjithçka ka kaluar pa pasoja të rënda, ndërsa Federer, Nadal dhe tenistët tjerë e kanë ndjekur gjithçka nga anash.

Bluza e tij shkruhej “End UK private flights”, që është mesazhi i një grupi të caktuar njerëzish që luftojnë kundër ndotjes së mjedisit.

Meqë ra fjala, tenisti zviceran dhe një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, Roger Federer, sot në Laver Cup në Londër do të luajë ndeshjen e fundit të karrierës së tij dhe do ta mbyllë karrierën e tij madhështore në një ndeshje në çift së bashku me rivalin e madh, Rafael Nadal.

Sot në orën 21:30, Federer dhe Nadal do të luajnë një ndeshje kundër amerikanëve Jack Sock dhe Frances Tiafoe, ndeshja që do të jetë e fundit në karrierën e madhe të tenistit zviceran, i cili pensionohet nga tenisi profesionalist në moshën 41-vjeçare. /Telegrafi/