Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për ‘marrje ryshfeti’, ‘dhënie ryshfeti’ dhe ‘përvetësim në detyrë’, ku njëri është zyrtar në Ministrinë e Diasporës, ndërsa tjetri gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Të dyshuarit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer veprat e lartcekura, duke shkëmbyer (dhënien) e parave në shumë prej tre mijë euro para të gatshme, me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: S. V. serb – gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe P. M. shqiptar–zyrtar në Ministrinë e Diasporës.
Njësitet relevante policore janë duke kryer hetime intensive lidhur me këtë rast, duke përfshirë edhe hetimet ndaj mundësisë së organizimit të ndonjë tentim ikjeje të personit të paraburgosur në fjalë.
Ndaj të dyshuarve pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. /Telegrafi/