Telegrafi

Një serb i kërkuar për krime lufte në Kosovë arrestohet në Hungari

Gjykata Komunale e Budapestit të martën urdhëroi arrestimin para ekstradimit të një shtetasi serb të dyshuar për krime lufte të kryera kundër civilëve gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

Sipas mediave hungareze, përcjell Telegrafi, një urdhër arresti ndërkombëtar për këtë burrë ishte lëshuar nga autoritetet kosovare, tha gjykata në një deklaratë.

I dyshuari nuk ishte pajtuar për një procedurë të thjeshtësuar ekstradimi, duke bërë që gjykata të urdhërojë arrestimin e tij për një periudhë prej 40 ditësh.

Gjykata ka thënë se do të vlerësojë kushtet për ekstradimin e burrit pasi të marrë kërkesën e plotë për ekstradim. /Telegrafi/