Telegrafi

Një qytetar raporton në polici se është sulmuar nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi

Foto: Arkiv

Një shërbyes civil i Komunës së Podujevës sot rreth orës 09:30 e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, kryetarin e kësaj komune Shpejtim Bulliqi për dhunë fizike dhe verbale ndaj tij gjatë kohës sa ishte në ambulancë.

Agron Borovci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një denoncim për një sulm fizik ka ndodhur sot rreth orës 09:30 në stacionin policor në Podujevë, por pa dhënë detaje se për kë bëhet fjalë.

“Rreth orës 09:30 në stacionin policor në Podujevë është denoncuar një rast i sulmit fizik. Aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga denoncuesi, dhe me qëllim të zbardhjes së plotë të  të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen veprimet policore po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë Borovci.

Por burime të Telegrafit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Telegrafi ka provuar të marr përgjigje edhe nga Bulliqi, por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefon. /Telegrafi/