Telegrafi

Një qen në Shtime tërhiqet zvarrë lidhur për veture, i dyshuari intervistohet nga policia

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 13:30 në rrugën Godan- Davidovc të Komunës së Shtimes, në të cilën shihet se si në një veturë në lëvizje tërhiqet zvarrë një qen lidhur për një litar. 

Telegrafi ka siguruar video incizimin nga lexuesit e saj, i cili rast është raportuar dhe në Policinë e Kosovës në rajonin e Ferizajt.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli i cili tha për Telegrafin se personi i dyshuar tashmë është identifikuar dhe është në stacion të policisë duke u intervistuar.

“Policia ka arrit që të identifikoj automjetin dhe personin. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 13:30 në rrugën Godan-Davidovc. Personi është në stacion të policisë dhe është duke u intervistuar”, ka thënë veseli.

Po ashtu Veseli tha se për veprime të mëtutjeshme i mbetet prokurorisë të vendos për rastin.

Mirëpo, siç merr vesh Telegrafi qeni nuk është i të dyshuarit por i nipit të tij dhe se me urdhër të prokurorit qeni është dërguar tek veterinari për shikuar gjendjen shëndetësore të tij. /Telegrafi/