Site icon Telegrafi

Një prezantuese në Los Angeles padit reperin 50 Cent: Më hodhi mikrofonin në fytyrë, kam lëndime të përhershme

50 Cent (Foto: EPA)

Një prezantuese radioje nga Los Angeles ka vendosur të padisë reperin 50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson, duke pretenduar në padinë e dorëzuar të enjten se ai i hodhi mikrofonin në kokë gjatë një koncerti në muajin gusht, thuhet sipas revistës People.

Bryhana Monegain, prezantuesja e mëngjesit në radio stacionin hip-hop, “Power 106 FM”, parashtroi padinë në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Angelesit lidhur me ngjarjen që ndodhi më 30 gusht 2023 gjatë një koncerti të 50 Cent-it në ‘Crypto.com Arena’ në qendër të Los Angelesit.

Monegain pretendon se 50 Cent hodhi mikrofonin “drejt një zone të mbushur me njerëz” pasi vërejti se nuk po funksiononte gjatë performancës së tij, çka rezultoi në atë që “mikrofoni e goditi paditësen në fytyrë dhe në kyçin e majtë të dorës” dhe rezultoi në “lëndime të rënda dhe të përhershme”, thuhet në padi.

Foto: 50 Cent/Instagram

Pas incidentit, thuhet në padi, Monegain u trajtua menjëherë në urgjencën e Qendrës Mjekësore të Përgjithshme të Los Angelesit për lëndime, duke përfshirë një tronditje të trurit, një plagë të hapur mbi ballë dhe dhimbje në kyçin e majtë të dorës.

Prezantuesja, e cila gjithashtu ankohet për “vertigo, dhimbje koke, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit si dhe për të vjella”, pretendon se ende vuan nga lëndimet dhe “stresi emocional”.

Foto: 50 Cent/Instagram

Në një deklaratë të dhënë në gusht, të cilën e ndau me Page Six, avokati i reperit, Scott Leemon mohoi akuzat për sulm: “Le të jemi shumë të qartë, klienti im Curtis kurrë nuk do të godiste qëllimisht dikë me një mikrofon. Kushdo që thotë ndryshe nuk ka të gjitha faktet dhe është i informuar gabimisht”.

Monegain, e cila ka kërkuar një gjyq me porotë, kërkon një shumë të panjohur dëmshpërblimi, që përfshin kostot mjekësore, shpenzimet ligjore dhe humbjet e kaluara dhe të ardhshme të pagave. /Telegrafi/

Foto: 50 Cent/Instagram
Exit mobile version