Site icon Telegrafi

Një prej koleksionistëve më të njohur shqiptarë ka krijuar “muzeun” e përbërë edhe nga automjetet historike

Automjetet me status historik vazhdojnë të tërheqin vëmendjen në Shqipëri dhe të pasionuarit pas këtyre mjeteve kanë krijuar dhe ruajtur koleksione me vlera të rralla.

Arben Prrenjasi është një prej koleksionistëve më të njohur shqiptarë të mjeteve historike, i cili ka ideuar dhe krijuar Muzeun “Ron”, i përbërë nga mjetet historike “Retro” dhe nga dokumente, fotografi dhe objekte të ndryshme që lidhen me historinë e automotorizimit shqiptar.

Me pasionin dhe këmbënguljen e tij, 57-vjeçari Prrenjasi, pas disa dekadash kërkime ka arritur të krijojë koleksionin e rrallë të mjeteve të vjetra ose siç njihen ndryshe “Retro”, që janë përdorur në Shqipëri dhe dokumentacionin rreth tyre apo për shoferët.

Muzeu privat i cili ndodhet në Tiranë ka mbi 1 mijë objekte, ku përfshihen automjete të markave dhe kategorive të ndryshme si vetura, furgonë, minifurgonë, kamionë, traktorë, autobusë, zjarrfikëse, motoçikleta, biçikleta, por edhe targa origjinale, kaska, si dhe objekte, uniforma dhe dokumente që lidhen me mjetet dhe drejtuesit e tyre.

Automjeti më i vjetër në koleksionin e tij është Fiat 500 (Topolino), model i vitit 1953, ndërkohë spikasin edhe mjetet Gaz 51, Gaz 63, Gaz 69, Zis 150, Zuk, BJ, Fiat 125, Fiat 900, Mercedes Benz Limusine, Volkswagen Beetle, Aro, Skoda 706 MT dhe motoçikleta si Vespa, Jawa 350, Jawa Perak, Xingfu 250, Chang Jiang, Csepel, MZ, CZ, Lambretta, Guzzi, M72, BMW, Minarelli, Garelli, dhe modele të tjera, si dhe biçikleta të vjetra edhe mbi një shekull.

Prrenjasi, i cili në vitet 1989-2001 ka punuar oficer policie në Shqipëri tregon se mjetet në fjalë janë blerë, dhuruar, gjetur në magazina të ndryshme apo në shtëpi private nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për t’u restauruar më pas dhe krijuar koleksionin unik.

Ato dikur kanë qenë për përdorim vetjak, por edhe nga institucionet si nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, si dhe nga ish-Sigurimi i Shtetit, ndërkohë sot ato janë dëshmi e historisë së automotorizimit në Shqipëri dhe disa prej tyre në ditët e sotme përdoren edhe për realizmin e filmave.

Ai tregon se dëshironte që të ngjallte tek njerëzit kureshtjen, por të ngacmonte dhe memorien e tyre, duke shtuar se me kalimin e viteve me shumë pasion dhe me shumë punë kanë arritur të krijojnë një fond të tillë mjetesh që janë përdorur në Shqipëri kryesisht në periudhën para viteve 1990. /AA/

Exit mobile version