Pasi siguruan një fitore të madhe ndaj Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, ekipi i Hansi Flick do të synojë ta përsërisë paraqitjen e njëjtë edhe sonte (e shtunë) ndaj Real Madridit.
Në të vërtetë, Flick do të ballafaqohet me El Clasicon e tij të parë zyrtare në ‘Santiago Bernabeu’ me fillim nga ora 21:00.
Teksa po i afrohemi kësaj ndeshje, gjermani e ka një ide të qartë për formacionin e tij startues duke marrë parasysh se si ka performuar ekipi i tij së fundmi.
Emra si Inaki Pena, Kounde, Cubarsi, Martinez, Balde, Yamal, Lewandowski dhe Raphinha është e sigurt se do ta nisin ndeshjen nga minuta e parë.
Dy nga tri pozitat në mesfushë po ashtu janë të konfirmuara me Pedrin dhe Marc Casadon që do të luajnë pas paraqitjeve të tyre të mira ndaj Bayernit.
Kjo ka lënë Flick me një dilemë të madhe se kë do ta zgjedhë ai për ta kompletuar treshen e mesfushës pasi tre lojtarë po luftojnë për atë pozitë.
Fermin Lopez, Dani Olmo dhe Frenkie De Jong që të gjithë po kërkojnë fanellën e titullarit, por ka vend vetëm për njërin prej tyre në formacionin startues.
Lopez u aktivizua nga minuta e parë ndaj Bayernit me Olmon dhe De Jong që sapo janë rikthyer nga lëndimi dhe në këtë ndeshje ishin aktivizuar nga banka rezervë.
Mbetet të shihet se për cilin lojtar do të vendos Flick, por që më favorit për momentin mbetet Fermin që të sigurojë vendin në formacion./Telegrafi/