Site icon Telegrafi

Një polic plagos aksidentalisht një police në Prishtinë

Një policie është plagosur sot aksidentalisht nga kolegu i saj në Prishtinë.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, ku policia është plagosur në këmbë, transmeton Telegrafi.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

IPK njofton se arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti./Telegrafi/

 

Exit mobile version