Telegrafi

Një pjesë e të zhvendosurve nga përmbytjet banojnë nëpër konvikte (Video)

Familja katër anëtarëshe Fazliu nga Inxhikova e Shkupit po banon në konviktin e Universitetit privat “FON”, pasi që nuk ka kushte banimi në shtëpinë e tyre që u përfshi nga vërshimet. Sipas tyre, edhe pas disa javëve nga fatkeqësia, nuk janë krijuar kushtet që të kthehen në shtëpi, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Nuk e dimë as neve çfarë do të bëjmë! Kanë ardhur nga komuna, ushtria, vetëm na hoqën mobiljet dhe ashtu e lanë , më tepër nuk pastruan as të vijë kamioni ti heq sendet parketin ta heq as asgjë. Ajo pjesë është për askund nuk jetohet”.

Por ka nga ata banorë që po qëndrojnë në shtëpitë e tyre në fshat. Ata thonë se nuk ka ardhur askush që ti shoh se në çfarë kushtesh jetojnë. Sipas tyre, përpos shtëpive të dëmtuara, në disa prej tyre ende nuk është bërë dezinfektimi.

“Gjendja jonë është katastrofale, siç e shihni edhe vetë! Diçka kanë pastruar e diçka jo! Nuk kanë ardhur as për ta dezinfektuar vendin! S’kemi ku të shkojmë se kushte për banim nuk ka këtu”.

Lexo po ashtu Këtu mund të lexoni dhe shikoni më shumë lajme rreth vërshimeve në Maqedoni (Foto/Video)

Banorët thonë për Tv21 se vërshimet në fshatin e tyre u shkaktuan si pasojë e kanalit, që nuk ishte pastruar për më shumë se 50 vite. Nga Qyteti i Shkupit e kanë shpallur të mbyllur operacionin e shpëtimit dhe pastrimit të këtij vendbanimi, ku ishin përfshirë ushtria, ndërmarrjet komunale të Gazi Babës dhe Shkupit si dhe ekipe të vullnetarëve.

Bashkësia lokale e Inxhikovës kërkon që të sigurohet një agregat që do të jetë i locuar në stacionin e pastrimit, të vendosur në këtë fshat, dhe ku do të grumbulloheshin të gjitha ujërat fekal nga fshatrat Haraçinë, Creshevë, Stajkovc dhe vendbanime tjera./Telegrafi/