Telegrafi

Një person po qëndron mbi digën e liqenit të Livoçit, policia dhe psikologu përpiqen ta bindin të zbres

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 19:40 ka pranuar informacionin se një person i moshës 40-vjeçare po tenton ta lëndojë veten duke hipur në murin e pendës së liqenit të Livoçit.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë për Telegrafin se pas pranimit të këtij informacioni, janë angazhuar njësitet relevante, zjarrfikësit, prokurori dhe psikologu nga spitali regjional.

Të gjitha këto njësite janë angazhuar në vendin e ngjarjes dhe po provojnë ta bindin këtë person që të largohet nga muri i pendës.

“Ju njoftojmë se më datën 19.01.2024, rreth orës 19:40, kemi pranuar një informatë se te penda e fshatit Livoq i Epërm është një person Mashkull/Kosovar/Shqiptar, rreth moshës 40 vjeç duke tentuar të lëndojë veten i cili ka hipur në murin e pendës dhe është duke qëndruar aty”.

“Me pranimin e informatës, janë angazhuar të gjitha njësitet relevante, njësiti zjarrfikësve, ndihma e shpejtë, prokurori dhe psikologu nga spitali regjional. Deri në këto momente të gjitha këto njësite janë të angazhuar në vendin e ngjarjes duke provuar që të bindin personin që të largohet nga muri i pendës”, ka thënë Hashani. /Telegrafi/