Ndërsa gjendja shëndetësore e Vladimir Putinit raportohet se po përkeqësohet, një person që i ngjan është vënë në gatishmëri për t’i shërbyer presidentit rus kur t’i nënshtrohet një operacioni.
Putini nuk do të shfaqet në punë për dhjetë ditë ndërsa një person që i përngjan do të shfrytëzohet për të bërë të duket sikurse ende po e kontrollon vendin, raportoi kanali anti-Putin në Telegram, “General SVR”.
Llogaria misterioze e Telegramit pretendoi gjithashtu se pamjet e para-regjistruara do ta shfaqin Putinin duke marrë pjesë në takime dhe duke nënshkruar ligje, raporton nypost.
Kanali – i cili supozohet se drejtohet nga një ish-gjeneral-lejtnant i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse i njohur me pseudonimin “Viktor Mikhailovich” – raportoi më parë se Putini do t’i nënshtrohet një operacioni për kancer dhe do t’ia dorëzojë pushtetin përkohësisht, Nikolai Patrushev, ish-shefit të policisë federale.
“Koha [e operacionit] është përcaktuar tashmë”, raportoi General SVR.
“Do të zhvillohet natën duke filluar nga ora 01:00 deri në orën 02:00, por data ende nuk është përcaktuar. Megjithatë i gjithë personeli mjekësor do të jetë në detyrë duke filluar nga mbrëmja e sotme”, thuhet në njoftim.
“Data ndryshon për arsye sigurie, por duhet kuptuar që mjekët insistojnë që operacioni të kryhet sa më shpejt. Të gjithë mjekët janë rusë – të gjithë kanë kaluar kontrolle në shumë nivele”, shtoi gazeta.
Gazeta investigative ruse, “The Project” ka pohuar se Putini është vizituar 35 herë në vitet e fundit nga një mjek i kancerit.
Udhëheqësi 69-vjeçar është bërë kaq paranojak për shëndetin e tij, pohoi gazeta, sa që po kryen terapi jokonvencionale dhe barbare. Thuhet se Putini lahet me gjakun e nxjerrë nga brirët e drerit, të cilat janë prerë ndërsa rriten, tha gazeta.
Një onkolog, i identifikuar nga media si Evgeny Selivanov, thuhet se ka bërë dhjetëra vizita sekrete në shtëpinë e Putinit në Socchi gjatë katër viteve të fundit.
Putini, pamja e sëmurë e të cilit dhe sjellja jokarakteristike e shqetësuar në publik kanë ngritur pikëpyetje për shëndetin e tij, gjithashtu është përfolur se vuante nga një sërë sëmundjesh të tjera serioze, duke përfshirë sëmundjen e Parkinsonit.
Pyetje të reja u ngritën në lidhje me gjendjen fizike të Putinit muajin e kaluar kur u pa duke u kapur fort për një tavoline gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Të mërkurën, Putin e anashkaloi lojën e tij të dashur vjetore të hokejit mbi akull në Socchi – duke u shfaqur në vend të kësaj me një video teksa kishte shenja misterioze në fytyrën e tij.
Ndryshe, Kremlini ka mohuar me vendosmëri se Putin vuan nga ndonjë problem mjekësor. /Telegrafi/