Telegrafi

Një person plagoset me armë zjarri në Dibër

Një sherr i nisur mes disa personave, ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20.00 të së shtunës, në fshatin Nezhaj, njësia Administrative Zall-Dardhë, Dibër.

Në oborrin e banesës së tij është qëlluar me armë zjarri 23-vjeçari Erjon Çela, banues në fshatin Nezhaj.

I dëmtuari po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë ku ndodhet, në gjendje të rëndë.

Policia e Dibrës me të marrë njoftimin, ka shkuar menjëherë në vendngjarje.

Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ekspert të policisë së Dibrës, është arritur të identifikohet dhe kapet në kohë rekord autori i dyshuar i ngjarjes, 25-vjeçari Rruzhdi Kaca.

Në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë dhe vëllezërit e tij, K.Kaca, 35 vjeç, A.Kaca, 27 vjeç, ku po krihet zona për kapjen e tyre.

Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër gëzhoja dhe një plumb i pa plasur.

Disa metra larg vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip automatik, që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.