Site icon Telegrafi

Një person në Mitrovicë tentoi vetëvrasjen për shkak të presionit për të paguar fajde, arrestohet fajdexhiu

Policia e Kosovës njoftoi të shtunën se një ditë më parë një person është dërguar nga familjarët e tij në Emergjencën e Spitalit Rajonal ne Mitrovicë, pasi që dyshohej se kishte konsumuar tretës kimik (domestos).

Viktima thuhet se kishte pranuar tretmanin mjekësor në Emergjencë dhe më pas ishte përcjell në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejmë, ndërsa pas tretmanit mjekësor gjendja e viktimës ishte stabile.

Pas intervistimit të viktimës dhe disa dëshmitarëve në lidhje me rastin, policia tha se janë gjetur dëshmi se viktima kishte marrë para me fajde nga një person dhe nga presioni për të paguar fajde, kishte tentuar të kryejë vetëvrasjen.

Sipas njoftimit, gjatë zhvillimit të hetimeve është identifikuar personi i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë vepër.

“Sot me datën 07.10.2023, rreth orës 07:00, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin në vendbanimin e tij dhe gjithashtu është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mirëpo nuk ishte gjetur ndonjë dëshmi në lidhje me rastin. Pas intervistimit në prezencën e avokatit, i dyshuari B.D., 48 vjeçar me vendim të prokurorit është ndaluar në ndalim policor për 48 orë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, rasti cilësohet si “Shtytja në vetëvrasje” dhe “Fajdeja” të paraparë me Kodin Penal të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version