Telegrafi

Një person në Drenas raportoi rrejshëm për tentim vrasje, doli se plagosi vetën

Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten (18 mars) rreth orës 20:30 ka pranuar informatën për një person të plagosur në lagjen e Xhamisë në Drenas, i cili po merrte trajtimin mjekësor në QKUK Prishtinë.

Menjëherë pas informatës policia kishte filluar një hetim lidhur me rastin me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

“Që në fazën e hetimit preliminar, hetuesit policor kishin ngritur dyshimet lidhur me versionin e paraqitur, andaj kishin zgjeruar rrethin e veprimeve hetimore të cilat sot rezultuan me  zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.

Mirëpo, policia ka ngritur versionin e hetimit se A.B, (48 vjeç) në lokalin e tij, me armë zjarri, aksidentalisht kishte plagosur vetveten në këmbën e djathtë.

“Më pas po i njëjti i ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, ka paraqitur rrethana të rrejshme lidhur me ngjarjen.

Pjesë e veprimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ka qenë edhe gjetja dhe sekuestrimi i armës që dyshohet të jetë arma e shkrepur në rast revole e tipit ZORAKI, kalibri 7.65mm, si dhe pesë copë fishek”, thuhet në njoftim.

Pas  nxjerrjes në pah të rrethanave të reja  të ngjarjes, në koordinim me prokurorin e shtetit është ri cilësuar rasti nga  “Vrasje në Tentativë” në “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”. /Telegrafi/