Një person ka pësuar lëndime të rënda trupore pasditen e së shtunës, pasi dyshohet se ka rënë nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë në Landovicë të Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se personit të lënduar i është ofruar ndihma e parë nga mjekët e Qendrës Emergjente.
Pas trajtimit fillestar, ai është transferuar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sipas mjekut kompetent, gjendja shëndetësore e të lënduarit mbetet e paqëndrueshme dhe ai është ende në rrezik për jetën.
Ndërkohë, nuk janë sqaruar ende rrethanat e sakta të ngjarjes, duke mbetur e paqartë nëse personi është rrëzuar aksidentalisht apo për ndonjë arsye tjetër.
Policia ka njoftuar se Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Prizren Veri ka ndërmarrë hapat e parë në lidhje me rastin, ndërsa është përfshirë edhe Sektori Rajonal i Hetimeve.
Për veprimet e mëtejshme, Policia është në konsultim me prokurorin përgjegjës./Telegrafi/