Telegrafi

Një përplasje ndërmjet mercenarëve të Wagner dhe ushtrisë së rregullt ruse përfundoi me të shtëna armësh, ka edhe viktima

Një përleshje që shpërtheu midis ushtarëve të ushtrisë ruse dhe grupit famëkeq mercenar Wagner u përshkallëzua në një shkëmbim zjarri në qytetin e pushtuar të Stanytsia Luhanska në rajonin e Luhanskut të kontrolluar nga Rusia.

Kështu ka raportuar Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më 23 prill në konferencën e tij të përditshme të mbrëmjes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm, si pasojë e përplasjes ka pasur viktima nga të dyja palët.

“Ato (forca të ndryshme ruse) po përpiqen të transferojnë përgjegjësinë për llogaritjet e tyre të gabuara taktike dhe humbjet mbi njëri-tjetrin”, thuhet në raport.

Megjithëse nuk ka dalë asnjë provë e jashtme për të mbështetur pretendimin e shkëmbimit të zjarrit, forcat Wagner shpesh e kanë gjetur veten në kundërshtim me Ministrinë Ruse të Mbrojtjes në një nivel më të lartë, për shkak të disa arsyeve, duke përfshirë dërgimin e municioneve.

Rajoni i Luhanskut u pushtua plotësisht nga Rusia në fillim të korrikut 2022 pas marrjes së Lysychansk, qyteti i fundit i madh në rajon që ishte nën kontrollin e Ukrainës. /Telegrafi/