Një numër i madh i qytetarëve të Spanjës i janë rikthyer sot punës, pasi që qeveria ka zbutur masat preventive në luftën kundër COVID-19, pavarësisht se numri i të vdekurve gjatë vikendit është rritur.
Nga sot kompanitë nga sektori industrial dhe ai i ndërtimtarisë, që kanë qenë të detyruara të ndalin punën për dy javë do t’i rikthehen punës, por siç raporton El Pais, ky vendim i qeverisë për zbutjen e masave mbrojtëse ka hasur në kritika të ashpra të ekspertëve që konsiderojnë se është herët të ndërmerren hapa të tillë, transmeton Telegrafi.
Por pavarësisht zbutjes së masave preventive që janë urdhëruar nga qeveria, punonjësit dhe punëdhënësit duhet t’i respektojnë në përpikëri kriteret e vëna, të udhëtohet në punë me veturë private nëse është e mundur apo qoftë me motoçikletë a biçikletë, që në transportin publik në disa hapësira të dedikuara enkas për ta, të përdoren maska mbrojtëse.
E disa prej masave është mbajtja e distancës prej të paktën dy metrave, me qëllim që të zvogëlohet kontakti mes personelit dhe klientëve, që orari i punës të jetë fleksibil, të shmangen turmat në transportin publik, të përdoren maska kur punohet në afërsi të personave tjerë.
E për personat më të rrezikuar rekomandohet bartja e dorëzave, kurse punëdhënësit duhet të kontrollojnë vazhdimisht hapësirat ku punohet ku temperatura duhet të jetë nga 23 deri në 26 gradë.
Gjithashtu vazhdimisht duhen kontrolluar shishet me dezinfektues, për t’u siguruar nëse ka mjaftueshëm si dhe letër tualeti. Pastërtia duhet të jetë në nivel.
Uniformat e punonjësve thuhet në rekomandim duhet të pastrohen në temperatura nga 60 deri në 90 gradë, si dhe të futet në një çantë të mbyllur sapo punëtori të përfundojë punën. /Telegrafi/